Çka është PLANi?

Strategjia Kombëtare për Zhvillim – po ashtu e njohur si PLAN – përfaqëson një qasje të tërësishme drejt adresimit të sfidave më kritike të zhvillimit të Kosovës. Është një dokument që do të përmbajë një pako të “prioriteteve të prioriteteve” zbatimi i të cilave gjatë pesë viteve të ardhshme (2016-2021), do ta shpie Kosovën drejt një trajektoreje të rritjes së përshpejtuar ekonomike dhe përmirësimit të standardeve të jetesës.

Procesi i hartimit të PLAN-it është iniciuar nga Kryeministri dhe Qeveria e Republikës së Kosovës më 3 qershor 2015. Qëllimi është që të prodhohet një dokument i cili do të gëzojë mbështetjen e një game të gjerë hisedarësh dhe të bëhet një udhërrëfyes koncensual për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës. Është një plan që për hartimin dhe zbatimin e tij do të punojnë bashkërisht, si qeveri dhe si qytetarë të Kosovës. 

PLANi nuk është as një dokument i pandryshueshëm por as ilaç ndaj të gjitha vështirësive me të cilat ballafaqohet ekonomia dhe shoqëria jonë. Por, është zhvilluar si një platformë dinamike e të konsultuarit dhe dakorduarit mbi një numër të vogël të prioriteteve më të rëndësishme me të gjithë akterët kryesor, si Qeveria, Kuvendi, shoqëria civile dhe sektorit privat, dhe partnerët zhvillimor të Kosovës. Me fjalë tjera, PLANi është paraqitje e Faktorëve Vendimtar të Suksesit të Kosovës për rritje ekonomike dhe krijim të vendeve të punës.

Prandaj, numri i prioriteteve që do të përmbajë PLANi është i kufizuar, ngase edhe burimet dhe kapacitetet për zbatimin e tyre janë të pakta. Në të njëjtën kohë theksi kryesor është që të sigurohemi që masat e zgjedhura për statusin e “prioriteteve të prioriteteve” janë zbatuar. Idetë për zhvillim kombëtar të pa përfshira në PLAN gjithashtu janë të rëndësishme, por ato do të trajtohen përmes strategjive të ndryshme sektoriale. 

Punë- Kapitali njerëzor
Ligj- Sundimi i ligjit
Afarizëm-Konkurrueshmëria
Ndërtim-Infrastruktura

Në aspektin strukturor Strategjia Kombëtarë për Zhvillim do të ndahet në katër shtylla: kapitali njerëzor, sundimi i ligjit, konkurreshmëria dhe infrastuktura. Emrat e sektorëve që përfaqësohen në nivel të shtyllave në gjuhën Shqipe korrespondojnë në mënyrë shembullore me fjalët që në mënyrë simbolike i përfaqësojnë këto shtylla. Rrjedhimisht fjala PLAN në këtë kontekst fiton një kuptim shumë më të thellë.